Vullnet Sanaja: Kultura kosovare në vitet e pasluftës
08 April 2021 - 11:53

Vullnet Sanaja: Kultura kosovare në vitet e pasluftës

1. Dy dekada pas luftës, një dekadë pas shpalljes së pavarësisë, në fushën e kulturës nuk ka inagurim të asnjë projekti kapital? Çfarë dëshmon kjo për qasjen e shtetit ndaj kulturës në këtë aspekt?

 Përgjithësisht dëshmon që kultura nuk është në listën e prioriteteve për shtetin, po edhe në rastet kur është në listën e prioriteteve nuk është se bëhet për hatër të kulturës. Kjo më së shumti dëshmohet edhe me mënyrën dhe procedurat që janë ndjekur në konceptimin dhe ndërtimin e objekteve të reja që kanë për qëllim zhvillimin e aktivitetit kulturor dhe artistik. Shpeshherë, pa ndonjë hulumtim paraprak të hollsishëm për nevojat e skenës kulturore dhe pa transparencë në këtë proces.

Prej qeverisjeve si në nivelin lokal po edhe qendror duhet të kuptohet që proceset vendimmarrëse mbi ndërtimin po edhe shfrytëzimin e hapësirave publike e të përbashkëta kulturore duhet të përfshijën të gjitha palët e interesit të këtyre hapësirave. Për ta arritur këtë është shumë i nevojshëm krijmi i mekanizmave të cilët nxisin pjesëmarrjen aktive të të gjithë skenës kulturore dhe shfrytëzuesive për vendimarrje gjithëpërfshirëse dhe jo vetëm sa për ti aprovuar planet e parashtruara mirëpo për të marr parasysh të gjitha kërkesat dhe sygjerimet.
Sa i përket nevojës për ndërtimin e objekteve të reja kulturore ajo është dëshmuar për disa prej veprimtarive kulturore, mirëpo duhet pas parasysh gjithashtu edhe investimet që duhet të bëhen për mirëmbajtjen dhe qëndrueshmërin e këtyre objekteve. Aktualisht në Kosovë ka shumë objekte që janë ndërtuar si pasoj e planifikime buxhetore për ti plotësuar objektivat e caktuara momentale pa ndonjë planifikim afatgjatë që ka shtyer në mungesën e programit si dhe menaxhimit adekuat të atyre hapësirave.
Kjo nënkupton që institucionet përgjegjëse si dhe skena e pavarur e kulturës duhet të angazhohen në adaptimin, revitalizimin dhe aktivizimin e hapësirave dhe objekteve aktuale të cilat janë të pa shfrytëzuara dhe pa program aktiv kulturor. Ndërsa sa i përket ndërtimit të objekteve për ti akomoduar nevojat e skenës kjo të bëhet me pjesëmarrje nga profesionistët, organizatat dhe shfrytëzuesit përfundimtar të këtyre objekteve kjo për të marr parasysh të gjitha kërkesat, përkufizimet dhe nevojat e komuniteteve artistike si dhe publikut. Prandaj, hulumtimi i hollësishëm që përfshin edhe llogaritjen e shpenzimeve për programim kulturor dhe përfshierja e skenës së pavarur kulturore në vendimmarrje duhet të jetë parakusht për cilindo investim kapital.

2. E kemi shembullin e pallatit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”? Më 2 dhjetor janë bërë 9 vite prej se është vënë guri themeltar. Prej atëherë pesë ministra të kulturës janë marrë me këtë projekt i cili u shpall i pavlefshëm më 2012. U shpenzuan mbi një milion euro, në atë që u shndërrua në moçal, që u mbulua së voni nga Komuna e Prishtinës dhe askush nuk dha përgjegjësi. A është sipas Jush ky projekt ai që ilustron krejt qasjen e institucioneve shtetërore ndaj investimeve kapitale në fushën e kulturës?
Ky është një projekt që ilustron shumë mirë gjithë procesin dhe mungesën e këtyre mekanizmave gjithëpërfshirës dhe transparent të cilët do të ndikonin në shmangien e këtyre gabimeve që në shikim të parë janë goxha naive dhe të menduara vetëm për politika ditore pa ndonjë plan afatgjatë.

3. Do të duhej të jepte përgjegjesi dikush për shpenzimin kot të milionave?
Po, definitivisht! Bile mirë kish qenë edhe me u informu publiku vazhdimisht përmes kampanjave kreative në rrjetet sociale sesi janë shpenzu ato në mënyrë që të mos përseriten të njejtat gabime si dhe të kërkohet llogaridhënie prej personave përgjegjës edhe në rastet e ngjajshme në të ardhmen.

4. Ka edhe projekte të tjera. Kemi rastin e projektit për Muzeun e Artit Bashkohor. U projektua, u shpenzuan 400 mijë euro? për projekt, iu nda trualli dhe pastaj iu mor. Pastaj kemi edhe rastin e projektit të Komunës së Prishtinës për sallë universale, pastaj, koncertale e pastaj u shkrinë në një dhe u harrua krejtësisht. Po del që tash më shumë se një dekadë institucionet po merren me projektime?
Realisht ky rezultat është i pritur kur planifikimi bëhet në baza ditore dhe pa ndonjë plan afatgjatë me indikator specifik. Nuk mundemi me prit rezultate tjera nëse nuk ka qasje dhe planifikim afatgjatë serioz i cili përfshin të gjitha elementet e nevojshme për zhvillimin e veprimtarive artistike.

Sa i përket projektimit të ndërtesave një problematik tjetër është edhe fakti që ato ndërtohen si me qenë të vetmuara pa marr parasysh rrethinën në të cilën gjinden dhe me funksionalitet goxha të limituar për aktivitetet kulturore. Për këtë shpeshherë skena e pavarur ka qenë goxha e zëshme për projeksionimin për arsye se këto objekte idealisht duhet të kthehen në pika referimi në qytetet ku ndërtohen por gjithashtu duhet edhe të akomodojn nevojat e skenës, duke pas parasysh këtu edhe qasshmërinë në objekte, ndikimin e tyre në mjedis dhe qëndrueshmërin ekonomike, mjedisore dhe strukturale.

5. Do të doja të ktheheshim te rasti i fundit kur bëhet fjalë për infrastrukturën në kulturë. E kam fjalën për sallën koncertale në ish-objektin e “Gërmisë”. U bë zhurmë tash u hesht. Pos kësaj edhe komuniteti artistik doli i ndarë në dysh. Cili është komenti juaj për këtë rast?

Ky ka qenë goxha rast i komplikuar pasi që edhe skena kulturore ka qenë e ndar në mendim sa i përket shfrytëzimit të objektit të Gërmisë, që është normale, mirëpo i gjithë ky procesi i diskutimeve kish qenë mirë dhe fer me pas ndodh para se të merret vendimi kjo nënkupton që akterët e përfshirë në marrjen e vendimeve po edhe të ndërtimit ose shkatërrimit të cfardo ndërtese që njhet si e mirë e përbashkët publike duhet të jenë gjithëpërfshirës në vendimmarrje, edhe më shumë në rastet kur një objekt i caktuar prezanton kujtesën tonë të përbashkët kolektive.
Ne si organizatë kemi qenë kundër shkatërrimit të ish-objektit të Gërmisë për shkak të kujtesës kolektive që prezanton. Ne kemi qenë për ndërtimin e sallës koncertale e cila mund të jetë multifunksionale, gjithashtu jemi për ndërtimin e muzeut të artit bashkohor; dhe mbi të gjitha jemi për ndërtimin e politikave kulturore të mirë menduara dhe të paraqituna strategjikisht për zhvillimin e skenës kulturore në Kosovë në bashkpunim me skenën e pavarur kulturore e cila punon në vazhdimësi për të mbrojtur interesat e gjithë skenës dhe publikut.  

6. Udhëhiqni festivalin “Anibar” nëpërmjet të cilit transformoni disa hapësira në kinema në Pejë. Sa ka qenë e vështirë të binden institucionet për shfrytëzimin e hapësirave dhe cila është përvoja juaj në raport me mungesën e objekteve kulturore?
Përmes festivalit ne jemi mundu që gjatë 9 viteve të fundit me i vendos në dritë disa prej hapësirave dhe objekteve që zakonisht nuk janë shfrytëzu prej publikut.
Në vitin 2010 kur e kemi themelu festivalin Kinemaja Jusuf Gërvalla nuk ka pas aktivitet kulturor gjatë vitit përkundër faktit që kjo ka qenë pikë fokale e aktivitetit kulturor gjatë viteve 1950-1980. Me anë të festivalit kemi arrit që Kinemanë ta kthejmë në një objekt të revitalizuar kulturor me program aktiv gjatë gjithë vitit.

Prej vitit 2012 kemi fillu me program të filmit në dy kinema të hapura në Parkun Karagaq në Pejë gjatë festivalit Anibar, Kinema Liqeni dhe Kubat të cilat kanë qenë edhe të listuara në Bored Panda në mesin e 10 Kinemave të hapura më të bukura në botë. Të dyja këto kinema ndërtohen në mjedis të hapur nga stafi dhe vullnetarët e Anibar duke e marr parasysh nevojat mjedisore dhe qasjen në këto hapësira nga të gjithë.
Përmes kurimit të programeve kualitative (mbi 2500 filma në vit aplikojnë për të qenë pjesë e festivalit Anibar) dhe zhvillimit të audiencës për filmin e animuar në Kosovë (rreth 7500 shikues të filmave ka pas këtë edicion në festival) përmes festivalit Anibar edhe institucionet janë bindur për shfrytëzimin e duhur të hapësirave publike.
Përgjithsisht, qasja jonë ka qenë goxha fleksibile në këto 9 vitet e fundit në lidhje me hapësirat ku kemi shfaqur filma, mirëpo tash jemi në një pikë ku është e nevojshme krijimi i kushteve të favorshme për shfaqjen e filmit pasi që festivali veq ka arrit një pikë të re të zhvillimit. Kjo nënkupton krijimin e hapësirave të reja për ngjarjet që lidhen me festivalin.

7. Në anën tjetër jeni pjesë e Rrjetit të organizatave të kulturës dhe keni qenë të zëshëm kundër nismës për privatizimin e Kinemasë në Pejë. Çfarë dëshmon për ju qasja e një shteti që synon ta lërë njërin prej qyteteve më të mëdha të vendit pa kinemanë e vetme?
Kinemaja është objekt që është në listën e monumenteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore për kujtesën kolektive dhe arkitekturën unike që posedon. Privatizimi në Kosovë shpeshherë ka nënkuptu ndryshimin e funksionit të objektit në disa raste ka rezultuar me shkatrrimin e objekteve, prandaj edhe e kemi kundërshtuar vazhdimisht.
Para luftës në Kosovë ka pas mbi 35 Kinema aktive, aktualisht kemi vetëm 6 Kinema në Kosovë, tri prej tyre nuk kanë projektor DCP që nënkupton që në to nuk mundemi me shfaq filma në kualitetin e duhur dhe në përputhmëri me kërkesat e distributorëve. Shteti jonë duhet të mbështes Kinematë të cilat ofrojn program kulturor dhe edukativ.
Mendoj që shteti duhet të ketë interes krijimin e hapësirave të reja për aktivitet kulturor kjo ka me ndiku në avancimin e shoqërisë tonë por gjithashtu ka me kontribu në zgjidhjen e shumë problemeve që aktualisht i kemi si shoqëri.

8. Cili është problemi i përbashkët për dështimin e krejt projekteve madhore kapitale? Mungesë politikash kulturore, serioziteti apo?
Të gjitha bashkë! Mungesa e politikave kulturore, vendimarrja për interesa politike e jo gjithëpërfshirëse, pamundësia për me shiku kulturën si shtyllë të rëndsishmë të zhvillimit njerëzor e shumë të tjera.
9. Pas të gjitha këtyre, a mund të bëhet art në Kosovë?
Art mund të bëhet dhe do të bëhet!  Këtu po besoj se nuk është në pytje se a do të mund të bëjmë art ose jo pa ndërtesa; njerzit edhe në shpella kanë bërë art. Pyetja duhet me qenë a kemi me arrit me avancu si dhe me eduku gjeneratën e re në përputhje me kërkesat dhe nevojat për këtë kohë.

*Ky tekst është botar në gazetën Koha Ditore.